Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 20:11

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në hapjen sot të sesionit të ri parlamentar tha se “axhenda e parlamentit do të jetë axhenda e reformave, në funksion të integrimit europian të vendit”.

Në fjalën hapëse drejtuar seancës së sotme kryetarja Topalli theksoi se ky është një moment politik i rëndësishëm në jetën parlamentare. “Ne sot hyjmë në vitin e tretë të kësaj legjislature. E nisim këtë sesion pas një pune të madhe dhe intensive dyvjeçare, ku miratuam 484 ligje dhe reforma, me të cilat realizuam transformimin rrënjësor të vendit”, theksoi Topalli.

Përveç këtyre, vijoi ajo, në parlament u miratuan reforma, ligje e marrëveshje që bënë të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

“Çdo sesion i ri është një fillim i ri dhe axhenda që na pret e ka emrin përsëri ‘axhendë reformash. Reformat e integrimit janë detyrimi i të gjithëve. Prej dy vitesh ne na presin në kalendarin e punimeve të Kuvendit për të diskutuar dhe votuar ligjet që kërkojnë votat e të gjitha grupeve parlamentare, vota është vendim i ndërgjegjes, votimi është detyrë kushtetuese”, tha Topalli.

“Por, vijoi ajo, ndryshe nga reformat për heqjen e vizave, kur mjaftonin votat e maxhorancës për këtë të fundit Kushtetuta thotë se duhen dhe votat e opozitës. Fjalët duhet të kthehen në vepra, votimi i 12 rekomandimeve është detyrë ndaj vendit dhe kjo nuk pranon as kushte as pazare. Ndaj të gjithë bashkë, çdo deputet, të gjitha forcat politike të punojmë dhe ta bëjmë të mundur një detyrë të tillë”, u shpreh kryeparlamentarja.

Ajo shprehu besim se të gjithë deputetët do të marrin përgjegjësitë që ju takojnë dhe do të kryejnë para vendit e shqiptarëve.

Në fund të fjalës së saj përshëndetëse, znj. Topalli ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje në nderim të kujtimit të deputetit të Partisë Demokratike, Gëzim Dibra, i cili u nda nga jeta pak javë më parë.