Lajme Shqip Wednesday, 04 September 2013 10:37

Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë nuk do të ketë një ceremoni zyrtare nga ana e ish-kryetares, Jozefina Topalli për dorëzimin e postit te pasuesi i saj, Ilir Meta. Ndryshe nga ekzekutivi, në të cilin ende nuk është vendosur lidhur me ceremoninë e dorëzimit të postit nga ministrat apo dhe vetë kryeministri te pasuesit e majtë, Kuvendi nuk ka të parashikuar në rregullore një ceremoni. Këtë gjë e konfirmon edhe vetë sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Lulzim Leçaj. “Kuvendi nuk ka patuar ndonjë ceremoni për dorëzimin e postit nga ana e kryetarëve te pasuesit.

Kjo është e përcaktuar dhe në rregulloren e Kuvendit, ku në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar e drejton deputeti më i vjetër dhe jo kryetari. Më pas vijojnë procedurat që janë parashikuar edhe në rregullore. Të paktën kjo ka ndodhur gjatë 20 viteve të fundit”, shprehet sekretari i Përgjigjthëm i Kuvendit në një prononcim për Shqiptarja.com. Ndërkohë që edhe në rregulloren e Kuvendit, atë të ndryshuar mes palëve dhe të miratuar me konsensus si një nga 3 ligjet e integrimit nuk është parashikuar një ceremoni e tillë largimi nga ana e drejtuesit të vjetër të Kuvendit dhe marrjen e drejtimit të institucionit ligjvënës nga kreu i ri.

Pritet që katër vitet e ardhshme Kuvendin e Shqipërisë ta drejtojë kreu i LSI, Ilir Meta, i cili do të zërë vendin e Jozefina Topallit, që e drejtoi këtë institucion për 8 vite me radhë. Pra nuk do të ketë një “shtrëngim duarsh” mes Topallit dhe Metës. Ndërkohë që ende nuk ka asnjë të dhënë nëse kreu i ri i këtij institucioni do të kërkojë ndryshime në strukturën organike të këtij institucioni. Nuk dihet nëse do të shtohen komisione parlamentare apo do të zgjerohen apo ngushtohen drejtori të caktuara si dhe stafi përbërës i tyre./GSH/