Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 21:18

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli tha se po e ndjekë me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës si dhe shpreh në emër të deputetëve të Parlamentit shqiptar përkrahjen e pa lëkundur ndaj popullit të Kosovës, Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës në çdo vendim për mbrojtjen e integritetit, kontrollit të kufijve dhe të rendit kushtetues.

Përmes një deklarate për shtyp, Kryetarja Topalli shprehet se, po ndjek me shqetësim veprimet që grupe vandalësh serbomëdhenj po përshkallëzojnë me djegie dhe shkatërrime përgjatë vendkalimeve të caktuara në kufirin verior të Kosovës.

“Në emër të deputetëve të Parlamentit shqiptar shpreh përkrahjen e pa lëkundur ndaj  popullit të Kosovës, Parlamentit  dhe Qeverisë së Kosovës në çdo vendim dhe çdo veprim për mbrojtjen e integritetit, kontrollit të kufijve dhe të rendit kushtetues, për t’i dhëne përgjigjen e duhur dhe të merituar akteve vandale me inspirim ultranacionalist.

Provokimeve, forcat policore të Kosovës ishin të detyruara t’u qëndronin me vendosmëri në përmbushje te detyrës”, thotë Topalli, ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes së policit, Enver Zyberi.

Topalli shpreh bindjen se këto provokime janë të destinuara të dështojnë dhe se koha e ultranacionalizmit ka marrë fund një herë e mirë.

“Ulja e tensionit, dialogu mes të barabartëve, mbështetja në vlerat dhe parimet e Perëndimit janë rruga e vetme për qetësimin e zhvillimeve. Pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë realitete të pakthyeshme”, përfundon deklarata për shtyp e Kryetares së Kuvendit.