Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 16:40

Pogradec – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitoi sot komunën e Buçimasit në Pogradec, ku përuroi memorialin e ngritur nga kjo komunë për dy të rinj intelektualë durrsakë, Martirë të Demokracisë, Skënder Çela, 23 vjeç e Mark Toci, 22 vjeç, masakruar pa gjyq natën e 30 dhjetorit 1946 nga regjimi komunist i kohës.

Duke vendosur një buqetë me lule në këtë memorial, Topalli përshëndeti të pranishmit, duke thënë se “sot pas 65 vjetësh jemi në një ditë kujtese të terrorit e represionit që solli sistemi që lamë pas”. “Jemi në një ditë përuljeje në kujtim të dy të rinjve për sakrificën e jetës së tyre. Është një memorial i thjeshtë, por flet shumë. Falënderoj me këtë rast kryeministrin Sali Berisha, që u dha titullin Martirë të Demokracisë dhe u shpreh dhimbjen familjarëve të tyre”, tha ajo.

Gjithashtu, zonja Topalli bëri apel për historianët duke thënë “shkruani historinë siç është e mos u ndikoni nga propaganda, shkruani të vërtetën”.

Më pas, Topalli vizitoi ekspozitën e çelur nga fëmijët pogradecarë në breg të liqenit të qytetit të Pogradecit me temën “Jo dhunës në familje”. Duke i përgëzuar ata, ajo i drejtoi këtë mesazh burrave shqiptarë: “Si kryetare e Kuvendit, por edhe si nënë, unë them se dhuna në familje është e pamëshirshme, ndaj përcjell një ftesë për burrat shqiptare, stop dhunës”.