Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 18:10

Tiranë – Bashkëpunimi me Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg mbetet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa një nga çështjet në rend të ditës është edhe ngritja e Gjykatës Administrative, si një insitucion shumë i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë. Kjo u theksua në takimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me përfaqësuesit e lartë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Francoise Tulkens si dhe Christos Rozakis, president i Gjykatës Administrative të Këshillit të Europës.

Gjatë takimit, sipas Zyrës së Shtypit të Kuvendit, Topalli i njohu ata me reformat themelore të miratuara nga parlamenti në fushën e së drejtës si dhe me sfidat legjislative për forcimin e shtetit ligjor. Duke u ndalur tek ngritja e Gjykatës Administrative, si një insitucion shumë i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë, Topalli tha se “unë shpresoj që opozita të japë kontributin e saj në parlament për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri duke votuar edhe ngritjen e kësaj gjykate”.

Në takim u diskutua edhe mbi marrëdhëniet e gjykatave shqiptare me Gjykatën e Strasburgut si dhe për rregullat e shtetit të së drejtës, ku ligji dhe Kushtetuta janë mbi gjithçka.

Përfaqësuesit e lartë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut u shprehën të hapur për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në forcimin e sistemit të drejtësisë.