Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 21:45

Korçë – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, së bashku me qindra nëna e vajza, gra e burra u mblodhën sot në Korçë në ecjen sensibilizuese “Jo dhunës! Po dashurisë!”.

Në fjalën e saj, kryeparlamentarja theksoi se “dhuna në familje nuk është një çështje private por është një çështje e të gjithë shoqërisë. Ne, do jemi avokate të nënave e grave shqiptare në këtë kauzë që është kauzë e së drejtës”.

Sipas saj, dhuna kundër gruas, kundër të dobëtit dhe fëmijës është një fenomen kompleks,i cili nuk ka kufij.

“Ne sot të gjitha në këtë shesh, zonja, nëna, motra, jemi për t’iu thënë se nuk jeni vetëm, se nuk jeni pa zë, se ne jemi të gjitha bashkë dhe se ne do të luftojmë bashkë me ju, sepse kjo është çështje e së drejtës, në të cilën ne besojmë fort shpirtërisht, të bindura  se mund ta luftojmë, se mund ta reduktojmë, se ne duam dashurinë, se ne duam të shohim fëmijët të lumtur”, u shpreh Topalli.

Ajo ftoi të gjithë që të mbështesin këtë kauzë që është çështje e së drejtës, e jetës dhe e dashurisë.

Personalitete të jetës publike, mjekë, artistë, mësues mbështetën dhe përshëndetën këtë takim të madh sensibilizues, ndërsa pëllumba të bardhë mbushën qiellin si simbol i paqes.