Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 16:43

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Indisë në vendin tonë, me rezidencë në Bukuresht, Debashish Chakravarti.

Ministri Haxhinasto pasi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, nënvizoi nevojën për ngritjen e dialogut politik.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, ai theksoi nevojën për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ekonomiko-tregtare, të cilat i shërbejnë më shumë njohjes së fushave me interes të ndërsjellë bashkëpunimi.

Nga ana e tij, Ambasadori Chakravarti u ndal në mundësitë që ekzistojnë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fusha si ekonomia, arsimi, teknologjia e lartë, etj.

Ai shprehu vlerësimet e Qeverisë Indiane për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Nju Delhi, e cila u konsiderua prej tij, si një hap kontribues i drejtpërdrejtë për ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Nga ana e tij ministri Haxhinasto kërkoi përfundimin e marrëveshjeve në fushën konsullore, për liberalizimin e lëvizjes midis dy vendeve.

Haxhinasto, duke iu referuar vendimit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, i kërkoi Ambasadorit Chakravarti që vendi i tij të shikojë mundësinë e njohjes së këtij shteti të ri, si një kontribut i drejtpërdrejtë i Indisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ai kërkoi nga pala indiane që të mbështesë Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare, veçanërisht ato financiare.

Palët gjithashtu, ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit Shqipëri-Indi në organizatat ndërkombëtare si OKB-ja, dhe shkëmbyen pikëpamjet e tyre për reformimin e kësaj organizate.

Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot në takim Ambasadorin e Indisë që mbulon marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, Debashish Chakravarti, në përfundim të mandatit të tij.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Topalli shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes dy vendeve po bëhen gjithnjë e më të afërta, duke falënderuar ambasadorin për kontributin e tij në këtë përafrim.

Kryetarja Jozefina Topalli, duke kujtuar vizitën e saj në Indi, tha se ajo ishte shumë e rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar.

Për Kryetaren e Kuvendit, forcimi i bashkëpunimit me vende të mëdha e faktor në politikën dhe ekonominë botërore si India, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.

“Vendet tona kanë një lidhje shumë të veçantë, tha Kryetarja e Kuvendit. Nënë Tereza është një pasuri e jashtëzakonshme e përbashkët, për të cilën jemi shumë krenarë.”

Ambasadori i Indisë tha se, vendi i tij ka interes të veçantë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë. “Biznesmenët indianë duhet të vijnë e të eksplorojnë Shqipërinë, një vend me burime të mëdha për investime dhe për këtë unë personalisht, por edhe ambasadori i ardhshëm do të angazhohemi plotësisht”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit tha se, pret me shumë kënaqësi një vizitë të afërt të Kryetares së parlamentit të Indisë Meira Kumar, vizitë që pritet të realizohet brenda këtij viti.