Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 10:00

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.

Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, temë e bisedimeve ishte axhenda e Parlamentit dhe e punës së komisioneve gjatë kohëve të fundit.

Kryetarja e Kuvendit bëri një ekspoze të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili ka kaluar dhe votuar disa blloqe nenesh dhe amendamentesh, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011.

“Me gjithë punën që është bërë, komisioni ka mundësitë që ta përmbyllin punën e vet me sukses brenda afatit të caktuar, brenda prillit”, tha ajo.

Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit shpjegoi për punën e Grupit të Punës për Reformën parlamentare.Ajo theksoi se Grupi i Punës ka një mandat që e detyron të punojë në modelin e Rregullores së Parlamentit Evropian dhe në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë.

Biseda vazhdoi edhe me diskutime të zhvillimeve të tjera të fundit në Parlament. (LajmeShqip.com)