Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 07:00

Tiranë-Shqyrtimi dhe votimi me përparësi i projektligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar, është guri i provës për opozitën, për të çliruar procesin e integrimit evropian nga bllokimi i padrejtë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë takimit që zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino.
     

Zyra e shtypit e Kuvendit, bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Topalli bëri një ekspoze të zhvillimeve më të reja parlamentare.    

Në mënyrë të veçantë, biseda u përqendrua në çështjet që po negociohen, për reformën zgjedhore, rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe miratimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.     

Kryeparlamentarja shprehu besimin se proceset e reformave do të ecin përpara si dhe siguroi se administrata e Kuvendit është e përgatitur tërësisht për të lehtësuar punën e palëve për reformat.