Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 14:43

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i konsideroi sot gënjeshtra akuzat e deputetit të PS-së, Taulant Balla, se rezultati i konkursit ndërkombëtar për projektin e parlamentit të ri ishte i paracaktuar.  
Në një deklaratë për shtyp, kryetarja Topalli thotë se “deklarata e radhës e zëdhënësit  të shokut Rama është një gënjeshtër fund e krye, jo vetëm në çdo fjali, jo vetëm në çdo  fjalë, por në çdo gërmë dhe shifër të saj”.
“Taulant Gjura gënjen për gjithçka në lidhje me rikonstruksionin e sallës së seancave plenare, gënjen për apartamentin, gënjen për reklamat, gënjen për votimin në internet”, thuhet në deklaratën e kryeparlamentares.
“Çdo hap i ndërmarrë për të celebruar 100-vjetorin e themelimit  të Shtetit Shqiptar, me të parën godinë të parlamentit te ndërtuar ndonjëherë në këtë vend, është bërë në transparencë e respekt të plotë të vendimit të 21 tetorit 2010 të Kuvendit, si dhe të vendimit unanim të 2 nëntorit 2010, të gjithë anëtarëve të Komitetit  Shtetëror, përfshirë shefat e shokut Gjura, respektivisht të shokëve Edvin Rama e Gramoz Ruçi”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, Topalli në deklaratë “falenderon emrat më të ndritur të arkitekturës botërore që na nderuan me kontributin e tyre si projektues apo vlerësues në konkursin më transparent e më publik të realizuar ndonjëherë”.
“Fakti që shoku Gjura merr guximin të shpifë duke transformuar krejtësisht një shkrim të botuar në gazetën vjeneze “Ëiener Zeitung”, nuk e zbeh aspak transparencën dhe suksesin e këtij procesi, e as mirënjohjen dhe interesimin që shqiptarët dëshmuan duke vizituar masivisht maketet e ekspozuara në mjediset e Kuvendit te Shqipërisë”.
Duke përfunduar kryetarja e Kuvendit sqaron se nëse do t’i kishte shkuar ndonjëherë në mendje të abuzonte me fondet publike, duke trukuar konkurse apo sajuar konkurrime, do të kishte vendosur të merrte teserën e PS-së dhe të drejtonte Bashkinë e Tiranës.
“Kuvendi i Shqipërisë nuk është Bashkia e Tiranës, është modeli krejt i kundërt i saj”, përfundon deklarata për shtyp e kryetares Topalli.
Një ditë më parë juria ndërkombëtare shpalli projekt fitues të kompleksit të ri parlamentar Maketin 11022 T, i paraqitur nga studio vjeneze COOPHIMELB (L) AU.