Lajme Shqip Sunday, 14 October 2012 14:20

TIRANË – Reduktohen në 8 numri i ish-të përndjekurve të cilët prej mëse 3 javësh vijojnë që vendosur grevën e tyre. Grevisti Fatmir Lloçi pas refuzimit të ndihmës mjekësor u shtrua paraditen e sotme në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. 

Shirat e rëna gjatë natës, kanë vështirësuar gjendjen e  ish-të përndjekurve grevistë. Çadrat e ngritura nga ish -të burgosurit politikë janë mbushur me ujë duke i nxjerrë jashtë përdorimit, ndërkohë që gjendja shëndetësore po vështirësohet dita ditës. 

Ish-të burgosurit politikë hynë sot në ditën e 23-të të grevës së urisë, e cila po zhvillohet në zonën e ‘Komunës së Parisit’, ndërkohë që shpresa e tyre për zgjidhje mbetën ndërkombëtarët, në mungesë të një reagimi nga ana e shtetit. 

Gjendja e grevistëve, u bë më e vështirë dy ditë më parë, pasi shpallën grevën e vdekjes. Vendimi i tyre erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policisë në tendë duke i larguar pijet. Pas 24-orë nga vendimi i shpalljes së grevës së vdekjes, pasi ndërprenë uji, grevistët iu rikthyen konsumimit të ujit, pasi sic thanë ata, e kanë të nevojshmë për ilaçet që konsumojnë.

Dje greva u trondit nga deklaratat e koordinatorëve. Duket se mes grevistëve pati grindje. Koordinatori i grevës, Asllan Patrioti deklaroi fillimisht tërheqjen nga greva, por pas 1 ore deklaroi se nuk do të tërhiqej dhe se do të vijonte të mbronte interesat e grevistëve deri në fund. Asllani tha se uria, etja ka krijuar një situatë të vështirë dhe mendore tek grevistët dhe tek koordinatorët, ndaj këto situata duhen mirëkuptuar. 

Grevistët kërkojnë dëmshpërblim për vitet e burgut, kryer në kohën e diktaturës. Para pak ditësh 2 prej grevistëve ndërmorën akt ekstrem, tentativë vetëflijimi me vetëdjegie publike. Ata theksojnë se greva nuk do të ndalet derisa në momentin që qeveria do të plotësojë kushtet e tyre, që sic ripërsërisin ata, nuk janë politike. Ish-të përndjekurit kanë preferuar të marrin mjekim vetëm në mjediset e grevës. Ndërsa prej disa ditësh, forca të shumta të policisë mbajnë të rrethuar zonën ku zhvillohet protesta. Një gardh i uniformave blu nuk lejon askënd të takojë grevistët, as familjarët e tyre. 

PS: ISH-TË PËRNDJEKURIT VUAJNË, BERISHA DARKA LUKSOZE
14:00 Sekretarja PS, për ish-të përndjekurit, Keti Bazhdari nëpërmjet një deklarate për mediat ka akuzuar qeverinë për mungesë vëmendjeje ndaj gjendjes së rëndë ku ndodhen prej 23 ditësh grevistët.

Bazhdari akuzoi kryeministrin Berisha se në familjen e tij ‘zhvillohen darka luksoze, leku derdhet lumë’, ndërkohë që nuk ka dhënë asnjë ndihmë për ish- të përndjekurit politikë.

TUFA: MOS NA LINI TË VDESIM, PRESIM DIALOG
Ora 13:49 Koordinatori i grevës Skënder Tufa ka ripërsëritur thirrjen e dëshpëruar që ish-të përndjekurit i bëjnë qeverisë për zgjidhj paqësore dhe imediate të situatës së tyre, pasi sic tha për NEWS24 gjendja e tyre është rënduar si për shkak të kushteve shëndetësore ashtu edhe për shkak të kushteve të motit.
“I bëjmë apel të ulemi dhe të diskutojmë se në themel përvec vuajtje 50 vjecare është gjaku i Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos. Nuk mund të presim gjatë se po vdesin. Do i luteshim të na mirëkuptonin dhe të bënim zgjidhje paqësore. ne jemi të hapur. 

Tufa ka sqaruar se disa ish- të përndjekur kanë probleme me plotësimin e dokumentacioneve në kohë, ndërmjet tyre ehde 3 anëtarë të grevës.
“Është një nen në ligj që vë afat kohor për dorëzimin e dokumentacionit. Ka shumë njerëz që po plotësojnë dokumente ende. Numri i atyre që vijojnë dëmshpërblimin mund të jetë 200 veta. Personat që nuk kanë bërë asnjë dokument janë 100 të tjerë. 3 persona që janë në greve janë persona që kanë cuar me vonesë dokumentacionin”,- tha Tufa duke përsëritur apelin për dërgimin e ndihmave humanitare si dhe duke paralajmëruar edhe mbajtjen e një tubimi ditën e nesërme para Parlamentit. 

TUFA: NA NDIHMONI ME BATANIJE, JANË LAGUR NGA SHIU
Ora 13:24 Koordinatori i grevës së ish- të përndjekruve politikë, Skëndër Tufa ka lëshuar apelin ‘SOS’ për kushtet e rënda me të cilët ish-të përndjekurit po vijojnë grevën e tyre. Tufa bën thirrje për ndihma humanitare për grevistët, pasi shiu ka dëmtuar dhe ka lagur batanijet e tyre. Ndërkohë, bën me dije se Avokati i Popullit,  Igli Totozani po punon për mbarëvajtjen e grevës.

DEPUTETËT MAJKO DHE NGJELA VIZITOJNË GREVISTËT
Ora 12:57 Deputeti i PS, Pandeli Majko dhe Spartak Ngjela vizitojnë grevistët. Majko e Ngjela të shoqëruar nga një grup gazetarësh që protestuan para Kryeministrisë.

GAZETARËT, PROTESTË PARA KRYEMINISTRISË
ORA 12:30 Në grup gazetarësh ashtu sic kishin paralajmeruar nje dite me pare u tuabuan paraditen e sotmepara godinës së Këshillit të Ministrave, në shenjë proteste për mosreagimin ndaj kërkesave të ish-të burgosurve politikë të ngujuar prej më shumë se dy javësh në grevë urie. Ata kërkuan që edhe qytetarët t’i mbështesin në protestën e tyre. Në këtë tubim gazetarët protestojnë edhe për moslejimin e ushtrimit të profesionit të tyre nga ana e forcave të policisë që sigurojnë mbarëvajtjen e grevës së urisë.Gazetarët duke u sensibilizuar me grevën, gazetarët i bënë apel kryeministrit Berisha që të ulet dhe të nisë një dialog me ish- të përndjekurit, ndërkohë që i bënë thirrje grevistëve që të heqin dorë nga grevat sakrifikuese.

FATMIR LLOÇI SHTROHET NË SPITAL NË GJENDJE TË RËNDË
ORA 12:20 Grevisti Fatmir Lloçi shtrohet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët kanë rekomanduar që të operohej 10 ditë më parë nga mëlçia, por Lloçi ka refuzuar spitalin disa herë. Kushtet e rënda në të cilët janë të detyruar të vijojnë grevën, si dhe përkeqësimi i gjendjes shëndetësore ka sjellë si rezultat edhe rëndimin e situatës së Lloçit, i cili u shtrua mesditën e sotme rëndë në spital.

LAMAJ: BERISHA TË ULET NË DIALOG, NUK KEMI PRESIDENT
Ora 10:00 Grevisti Fatmir Lamaj, në një prononcim për median, bëri me dije se kushtet shëndetësore dhe të qëndrimit janë rënduar, ndërkohë i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të ulet në dialog si dhe komuniteteve fetare për sensibilizim.

‘Janë kushte mëse çnjerëzore, saqë dhe grevat afrikane nuk u afrohen këtyre kushteve, ndërsa çdo orë që po kalon, çast dhe minutë duke u përkeqësuar kushtet e motit dhe gjendja jonë bëhet më e vështirë. I drejtohemi doktorit pa zemër që të konsiderojë edhe një herë mundësinë për bisedime dhe për të plotësuar kërkesat tona. Kërkesat tona janë ekonomike, fryerja e faturave që kërkojnë të bëjnë disa nënpunës të Financave nuk janë gjë tjerër vetëm sa për t’ju larguar kërkesave. U bëjmë thirrje komuniteteve fetare, që të bëjnë thirrje për zgjidhje. Takimi me Nishanin na dha frymëmarrje, por pas këtyrë që po ndodhin dhe reagimin me kohë, bëj pyetjen vallë a kemi President? Më duket se ai mungon”,- deklaroi Lamaj.

TUFA: JA PSE NUK ARRITËM MARRËVESHJE ME NISHANIN
ORA 9:30 Ish-të burgosurit politikë hynë sot në ditën e 23-të të grevës së urisë, ndërkohë që shpresa e tyre mbetën ndërkombëtarët. Në një prononcim për TV ‘NEWS 24’, një prej koordinatorëve të grevës, Skënder Tufa, sqaron se në takimin e përfaqësisë së tyre me Presidentin ishin shumë pranë zgjidhjes.

“Shpreh keqardhje që organizmi ndërkombëtar nuk po dëgjohet nga shteti. Shpreh keqardhje për Astrit Patozin që foli kundër Ambasadës Amerikane. Arvizu miku unë ka ardhur tek ne si qytetar. Kemi shumë besim dhe shpresat tona janë vetëm tek faktori ndërkombëtar. Qeveria shqiptare të mos bëjë gabim të politizojë grevën. Ndërkombëtarët janë miqtë tanë dhe kërkojnë zgjidhje humane. Në takimin e parë me presidentin ishim entuziast dhe menduam se cëshjta mund të shkojë drejt zgjidhjes, por pasdite situata ndryshoi kundër nesh. Zgjidhja ishte se presidenti pranoi kërkesat tona. Thanë këto kërkesa janë të zgjidhshme dhe unë bashkë me ndërkombëtarët do shkonim të kontaktojmë me qeverinë për një marrëveshje. Fatura nuk është e rëndë, por tepër e thjeshtë për qeverinë, sepse sekretearët e presidentit kanë pranuar vetë se është e mundur zgjidhja financiare, por në fund u prish. Jemi 1 200 të burgosur politik, duam mirëkuptimin e shtetit, duam të trajtohemi me dinjitet, të kemi zgjidhje sociale juridike, dhe nuk kemi asnjë lidhje me politikën”,- deklaroi Tufa. 

Tufa deklaroi se policia ka izoluar grevën, duke bërë që të ketë keqkuptim ndërmjet koordinatorëve dhe grevistëve, ndërkohë që theksoi se ata presin zgjidhje juridike për kërkesat e tyre ekonomike dhe sociale, duke u larguar nga cdo lidhje me cdo forcë politike në vend. (LajmeShqip.com)