Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 17:48

Tiranë – 13 autobuse të rinj me standarte europiane hynë sot në qarkullimin e transportit urban të kryeqytetit dhe janë vënë në dispozicion të qytetarëve për linjat qendër-Tufinë dhe qendër-Laprake.

I pranishëm në prezantimin e këtij projekti, kryetari në detyrë i Bashkisë, Edi Rama, theksoi se këto dy linja do të kenë autobusë të rinj me kilometrazhin “zero”, ndërsa theksoi se ky investim i rëndësishëm do të ofrojë edhe një shërbim të standarteve europiane për qytetarët.

Duke iu referuar edhe zgjedhjeve vendore, Rama theksoi se më 8 maj qytetarët do të çlirojnë këshillin bashkiak duke bërë të mundur kështu edhe transformimin e linjës Kombinat-Konostudio.

“Tirana po mbulohet me transport urban cilësor. Plani ynë i transportit do të vazhdojë edhe me tramvajin, i cili është komponent i planit tonë strategjik”, theksoi Rama, duke shtuar se arritjet i dedikohen kontributit të qytetarëve dhe bashkisë së Tiranës.