Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 15:03

Tiranë – Bashkia e Tiranës shpalli sot projektin fitues për ndërtimin e xhamisë së re dhe muzeut të bashkëjetesës fetare në qendër të kryeqytetit.

Juria, e përbërë nga emra prestigjiozë të arkitekturës, përzgjodhi studio fituese danezen “Big”, mes 5 studiove.

Kryetari i bashkisë, Edi Rama, falenderoi pjesmarrësit dhe u shpreh se ndërtimi i kësaj xhamie dhe muzeut është një nder për qytetin e Tiranës.

“Ishte privilegj i madh që patëm mundësinë të ndanim emocionet e prezantimit të 5 studiove prestigjioze. Puna e jurisë ishte me të vërtetë e vështirë”, tha Rama.

Sipas tij, ky është një projekt ambicioz dhe sfidë për Tiranën. “Bashkia e Tiranës ka hapësirën dhe ekspertizën për t’i çuar përpara këto projekte”, tha Rama.

Sipas tij, bashkia garanton se ky projekt është konform planit të zhvillimit të qytetit dhe nuk cënon asnjë pronë dhe asnjë pronar. Në këtë hapësirë do të bashkëjetojnë tre objekte, xhamia e re, qendra e kulturës islamike dhe muzeu.

Sipas Ramës, “këto objekte do të jenë pikë referimi për qytetin e Tiranës dhe një hapësirë që afron komunitetin me vlerat dhe parimet që promovohen në harmoninë fetare në Tiranë.

Sipërfaqja për xhaminë është 2.500 m2, ndërsa sipërfaqja për muzeun është 1650 m2. Ndërtesa e xhamisë do të ketë salla për mësim, biblioteka, pra të jetë një objekt i lidhur me dijet islame.