Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 13:12

Tiranë – Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi sot Raportin e Parë të vëzhgimit në kuadër të “Monitorimit të zgjedhjeve vendore 2011-të”.
Gjatë një konference për shtyp, koalicioni i vëzhguesve vendorë, që është një bashkim vullnetar e jo politik për vëzhgimin e proceseve elektorale, i disa organizatave joqeveritare, rekomandon që KQZ duhet të angazhohet për të funksionuar me një frymë kolegjialiteti, për të siguruar sa më shumë standarte në realizimin e këtij procesi elektoral.
“Anëtarët e KQZ-së, të propozuar nga opozita, duhet sa më parë të marrin pjesë në punën e komisionit, duke përmbushur detyrimin e tyre ligjor dhe qytetar”, nënvizohet në raport.
Koalicioni rekomandon që KQZ-së duhet të miratojë sa më parë rregulloren për funksionimin dhe organizimin e KQZ-së si dhe i kërkon KZAZ-ve t’u krijojnë të gjithë lehtësirat e mundshme vezhguesve të koalicionit në përmbushjen e detyrës së tyre qytetare.
Më tej, në raportin e parë të koalicionit të vëzhguesve vendorë nënvizohet se “qeveria duhet të zëvendësojë sa më parë ministrat e dorëhequr, sidomos ministrin e Brendshëm, institucioni i të cilit ka lidhje dhe përgjegjësi direkte me mbarëvajtjen e të gjithë procesit zgjedhor. Për më tepër që ish-ministri është kandidat për Bashkinë e Tiranës”.
Lidhur me partitë politike, raporti vënë dukje se “ato duhet të angazhohen për një fushatë të qetë, me etikë qytetare dhe konkurim mbi platforma idesh dhe alternativash zhvillimi për dhe në funksion të qytetarit”.
“Partitë politike duhet të angazhohen për ndërmarrjen e hapave konkrete për rritjen e besimit mes palëve për të realizuar një proces me sa më shumë standarte në të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”, thuhet në raport.
Gjithashtu theksohet se “partitë dhe kandidatët duhet të krijojnë mundësi komunikimi dhe përballje të drejtëpërdrejta me qytetarët, të shpallin dhe diskutojnë me ta alternativa dhe projekte konkrete, larg mitingjeve luksoze e të paarrira për qytetarin”.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është një bashkim vullnetar e jo politik i organizatave si Shoqata për Kulturë Demokratike, KRIIK Albania dhe Qendra Kombinat – Për Gratë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me 15 organizata partnere lokale.
Kjo iniciativë mundësohet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla për Demokracinë i Ambasadës Amerikane, USAID dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (Soros). 
Për vëzhgimin e tij Koalicioni do të aktivizojë rreth 900 vëzhgues të pavarur, të cilët do të monitorojnë procesin nëpërmjet grupeve të lëvizshme si dhe do të jenë prezent në qendrat e numërimit të votave.