Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 12:14

Tiranë – Rreth 56% e popullsisë shqiptare i janë përgjigjur pozitivisht pyetjes për të ndërmarrë një udhëtim në zonën Shengen, që do të thotë se vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, ka ndikuar në një masë të gjerë dhe pozitivisht.

Sondazhi i parë është publikuar sot nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), i cili është realizuar në shkallë kombëtare në muajt tetor dhe nëntor të vitit të shkuar, i cili mat impaktin e lëvizjes pa viza në hapësirën Shengen.

Kërkuese Politikash në EMA, Blerta Hoxha, duke publikuar të dhëna nga sondazhi se “Si ka ndikuar lëvizja pa viza në lëvizshmërinë e qytetarëve shqiptarë”, theksoi se “vetëm 44 % e popullsisë është treguar indiferente ndaj liberalizimit të vizave, të vetëdijshëm për kufizime të natyrës social-ekonomike”.

Ajo vuri në dukje se arsyet ose qëllimet kryesore të qytetarëve për të ndërmarrë një udhëtim në zonën Shengen janë për turizëm, me një shifër prej 44% , dhe arsye familjare apo biznesi me 47% dhe vetëm 12 % lidhen me punësimin, i cili nuk është i parashikuar në kuadër të liberalizimit të vizave.

Ndërsa sipas zonave gjeografike, Hoxha nënvizoi se “zonat urbane përbëjnë fluksin dërrmues të personave që do ta përdorin lëvizjen pa viza, ndërsa 26% i përkasin zonave rurale”.

Ndërsa, sipas statusit në tregun aktual të punës, sondazhi i EMA-s vëren se përfituesit kryesorë do të jenë të punësuarit dhe studentët.

“Sipas sektorit të punësimit shohim se niveli dhe stabiliteti në të ardhura, ka një ndikim në vendimin për të ndërmarrë udhëtime afatshkutra”, bëri të ditur Hoxha.

Sondazhi është zhvilluar në nivel kombëtar në të gjitha qarqet e vendit, me një kampion prej 1200 personash të anketuar me intervista të drejtëpërdrejta, dhe bazuar në të dhënat e INSTAT.

Sipas drejtuesve dhe përfaqësuesve të EMA-s, synimi i kësaj analize është kryerja e një bilanci paraprak mbi ndikimin e liberalizimit të vizave, si dhe hartimi i një sërë rekomandimesh për aktorë të ndryshëm me qëllim që liberalizimi i vizave të mbetet një histori suksesi.