Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 13:39

Tiranë – Ka vijuar edhe sot në zonën e Selitës aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje nga Policia Bashkiake e Tiranës.

Gjatë ditës së enjte, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës, nisi prishjen e një ndërtimi pa leje në zonën e Selitës, në rrugën “Ibrahim Dervishi”. Ajo, pasi konstatoi ndërtimin pa leje, bëri bllokimin dhe njoftoi subjektin në fjalë dhe pas kësaj procedure nisi në mëngjesin e sotëm aksionin për shembjen e ndërtesës dhe kthimin në gjendjen fillestare.

“Ky është aksioni i radhës i Policisë Bashkiake. Ne do të zbatojmë ligjin dhe këtë do ta bëjmë çdo ditë”, u shpreh drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha.

Brenda 10 ditëve, Policia Bashkiake ka kryer 8 aksione për prishjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa janë bllokuar qindra raste të tjera, ose tentativa për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.