Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 12:24

Tiranë – Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) publikon listën e re të ish-ushtarakëve, që u është lidhur pensioni suplementar deri në datën 1 korrik. Lista e re, e publikuar nga ISSH, përmban 194 emra të rinj, të cilët i bashkangjiten listës së ish-ushtarakëve, që fitojnë të drejtën e pensionit suplementar në bazë të ligjit nr. 10 142,  “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas ISSH, ligji nr.10 142 ka filluar të aplikohet që nga 2010-ta, dhe ka për qëllim t’u garantojë ushtarakëve përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara nga ligji ekzistues.

Gjithashtu, ISSH sqaroi se nga ligji përfitojnë ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Kjo listë e publikuar sot, vjen vetëm pak ditë pas publikimit të listës paraardhëse, e cila përmbante 135 emra ish-ushtarakësh përfitues të kësaj të drejte.