Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 13:40

Tiranë – Ndërtimi i godinës së re të Agjencisë Kombëtare të Trafikut Ajror dhe Kullës së Kontrollit, shënon një hap përpara drejt sigurisë së hapësirës ajrore si dhe përmbush detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të hapësirës së përbashkët europiane dhe të iniciativës për një qiell të sigurt të përbashkët europian, deklaroi ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi.

I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të godinës së re të Kullës së Kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, pjesë e projekti për “Modernizimin e Hapësirës Ajrore Shqiptare”, Olldashi u shpreh se investimi prej 12 milionë eurosh, përveç se përbën një nga pikat kyçe të integrimit në BE, do te rrisë edhe eficencën në kontrollin ajror si dhe cilësinë e shërbimit dhe operimit.

“Në momentin që ky projekt filloi, kapaciteti i përpunimit të agjencisë së trafikut shqiptar ajror ka qënë vetëm 200 avionë në ditë”, tha më tej kreu i MPPT-së. Por, theksoi Olldashi, hap pas hapi ky kapacitet është 10 fishuar dhe pritet të rritet më tej.

Ministri Olldashi vuri në dukje se reformat e ndërmarra në këtë sektor ndër të tjera kanë synuar ndarjen e përgjegjësive, si politkbërjen, rregullatorin dhe operimin.

Punimet për ndërtimin e godinës së re të Agjencisë Kombëtare të Trafikut Ajror dhe Kullës së Kontrollit, nisën në muajin gusht të vitit 2010.

Drejtori i ANTA-s, Petrit Sulaj, tha se zhvillimi i rrjetit qëndror të transportit ajror të Shqipërisë paraqet një mundësi të mirë për vëndin tonë dhe për marrëdhëniet e tij me vëndet e Evropës dhe sidomos Ballkanit Perëndimor.

Ky investim i ri për modernizimin e hapësirës sonë ajrore, theksoi Sulaj, është një hap i madh i qeverisë që ndihmon ANTA-n të plotësojë të gjitha parametrat e nevojshme për të qenë në të njëjtën lartësi me ato të vëndeve të zhvilluara.

Projekti për “Modernizimin e Hapësirës Ajrore Shqiptare” është një financuar 60% nga qeveria shqiptare dhe 40% nga fondet e ANTA-s. Me përfundimin e këtij investimi do të rriten kapacitetet e punës dhe cilësisë së saj. Ky projekt përfshin ndërtimin e kullës së re të kontrollit, rikonstruksionin e godinës ekzistuese, si dhe ndërtimin e sallës moderne të trafikut ajror.

Pjesë e rëndësishme e kësaj iniciative është gjithashtu implementimi i projektit NAMP, i kompanisë amerikane Lockheed Martin që ka një eksperiencë të madhe në fushën e aviacionit. Ky projekt kontribuon në modernizimin e hapësirës ajrore me një teknologji të zhvilluar të sigurtë dhe rrit kapacitetet e mbikalimeve ajrore me një bilanc pozitiv që i shërben ANTA-s për modernizimin dhe garancinë mbi perspektivën e integrimit në BE dhe zhvillimin strategjik.

ANTA garanton një siguri të lartë kundrejt kompanive dhe pasagjerëve që janë në rritje, për të qenë më të sigurtë në qiellin e kaltër të Republikës së Shqipërisë. ANTA është krijuar në nëntor të vitit 1992 dhe është ndërmarrje 100% shtetërore.