Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 14:30

Tiranë – Presidenti Bamir Topi priti paraditen e sotme Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli së bashku me delegacionin që e shoqëron, në përbërje të të cilit ishte edhe Zëvendëskryeministrja tjetër e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, njëkohësisht Ministre e Tregtisë.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, kreu i Shtetit i shprehu Pacollit vlerësimet më të larta për përpjekjet e vazhdueshme dhe intensive dhe të gjitha nismat kurajoze në shërbim të perspektivës së ardhshme evropiane, jo vetëm të Kosovës, por edhe të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar, siç është Nisma “Për Një Hapësirë Mbarëkombëtare Zhvillimi”.

Ish-Presidenti i Kosovës dhe aktualisht Zv/kryeministër i saj, Behgjet Pacolli, i shprehu Presidentit Topi konsideratat më të larta për kontributin e vyer institucional e personal për konsolidimin e marrëdhënieve e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të mirë të popujve tanë dhe ruajtjes së stabilitetit afatgjatë në të gjithë rajonin.

Presidenti Topi vlerësoi përpjekjet në rritje të vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmirësimin e dialogut politik, bashkëpunimit ekonomik midis tyre në një rajon që ofron mundësi të mëdha sipas modeleve ekonomike të vendeve të Bashkimit Evropian.