Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 12:04

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përuroi sot paradite Panairin Ndërkombëtar “Pranverë 2011”, të organizuar në Pallatin e Kongreseve, në të cilin janë ekspozuar prodhime të sipërmarrësve vendas dhe të huaj.

Presidenti Topi, pasi preu shiritin përurues, vizitoi stendat dhe pavionet ku ishin të ekspozuara prodhimet më të fundit të firmave të ndryshme shqiptare dhe të huaja, ndërsa u takua përzemërsisht me sipërmarrës të shumtë shqiptarë, edhe nga Kosova e Maqedonia, si dhe me investitorë të huaj nga Italia, Greqia e vende të tjera evropiane.

Kreu i Shtetit duke shprehur për mediat opinionin e tij rreth këtij Panairi, i çelur “në mes të një klime të nxehtë politike”, vlerësoi “përmirësimin e dukshëm cilësor, edhe të ekspozimit, edhe të pjesëmarrjes së biznesit”.

“Kjo tregon që politika ka punën e vet dhe nuk besoj që politika merret gjithmonë me nota negative, sepse në saje të kësaj politike janë bërë shumë reforma, janë ngritur institucione, i është dhënë hapësirë biznesit. Kështu që mos ta kritikojmë gjithmonë politikën! Edhe ta inkurajojmë”, iu përgjigj Presidenti Topi interesimit të medias.