Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 19:14

Tiranë – Presidenti Bamir Topi u uroi sonte të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë, kudo që ndodhen me rasin e Festës së Pashkëve.

Kreu i shtetit i ka dërguar një mesazh urimi Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos dhe Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditës.

“Në këtë ditë të shënuar dëshiroj t’ju shpreh juve dhe nëpërmjet jush të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe katolikë, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e kremtimit të Pashkëve. Dëshiroj që veçanërisht sot, në këtë festë fetare, në këtë ditë të bekuar, të uroj të gjithë popullin shqiptar për më shumë mbarësi, fat, paqe, mirëkuptim, gëzim e harmoni, si dhe një të ardhme më të begatë e të sigurt”, theksohet në mesazhin e urimit të Topit.

Më tej Presidenti shprehet se “kjo ditë e shenjtë që simbolizon ringjalljen e Krishtit, ringjalljen e shpresës për ditë më të mira, le të shërbejë për të gjithë edhe si ditë e reflektimit dhe e inspirimit për të evidentuar e konsoliduar vlerat e vërteta shpirtërore të shoqërisë shqiptare”.

“Gëzuar dhe njëherë Festën e Pashkëve! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe familjet shqiptare!”, përfundon mesazhi i urmit, i Presidentit.