Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 12:25

Tiranë – Presidenti Topi ngushëlloi sot familjarët e aktores së shquar të skenës dhe ekranit shqiptar, Ferial Alibali nëpërmjet një mesazhi të bërë publik nga Presidenca.

Me dëshirën për t’ju gjendur pranë familjarëve nga kjo humbje, Kreu i Shtetit shpreh mes të tjerave, vlerësimin për aktoren Ferial Alibali, që u nda dje nga jeta në moshën 78-vjeçare.

“Talenti i Ferialit, që me 50 rolet në teatër dhe portretizimet e saj kinematografike përcolli ndjeshmërinë e një artististeje të rrallë, do mbetet i paharruar si për ata që e njohën personalisht, ashtu edhe ata që e admiruan aktrimin e saj kudo nëpër Shqipëri dhe anembanë trevave ku jetojnë shqiptarë”, shprehet në këtë mesazh Preidenti Topi.

Aktorja e njohur e Teatrit, Ferial Alibali ndërroi jetë dje, në moshën 78-vjeçare në Tiranë, duke lenë pas një arkiv rolesh dhe interpretimesh në teater dhe filma artistikë.

Ferial Alibali lindi në Lushnje në vitin 1933. Aktivitetin artistik e filloi në vitin 1952 në teatrin profesionist të Korçës. Nga viti 1953-1955 punoi në Teatër duke interpretuar role të vegjël dhe në shtator të vitit 1955 u pranua aktore në Teatrin Popullor. Gjatë aktivitetit artistik, artistja Alibali numuron se ka interpretuar rreth 50 role në teatër, ku u dallua sidomos për rolet e Mashës, Zoga, Hesja, Nastja, Drande, Mira, Pepi, Hajria, Nica,etj.

Ferial Alibali ka interpretuar gjithashtu edhe disa role në filma të ndryshëm artistikë.

Në vitin 1975 e larguan nga Teatri Popullor pasi i shoqi i saj u dënua nga regjimi komunist për politikë.