Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 15:18

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në takim me anëtarë të komisionit të punëve të brendshme të Bundestagut gjerman, bisedoi për thellimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, si donatori kryesor i Shqipërisë, jo vetëm në terma ekonomikë, por edhe politikë e diplomatikë.

Duke u ndalur në situatën politike në Shqipëri, parlamentarët gjermanë e vlerësuan si të “pazakontë që opozita nuk ka qenë e pranishme në seancat parlamentare dhe jemi të ndërgjegjshëm për efektet që kjo sjell.”

Nga ana e saj, kryetarja Topalli tha se ftesa ndaj opozitës për bashkëpunim ka qenë e vazhdueshme dhe e përhershme. Ajo e njohu delegacionin gjerman me reformat legjislative dhe ecurinë pozitive të Shqipërisë në reformat ekonomike, ligjore e politike, veçanërisht në arritjet në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Përfaqësuesit e delegacionit gjerman shprehën kënaqësinë për progresin që Shqipëria ka shenuar në këto reforma të rëndësishme, që sipas tyre, janë sfida ndërkombëtare.

Duke u ndalur në zgjedhjet e pritshme lokale, Kryetarja e Kuvendit theksoi se “zgjedhjet e përgjithshme ishin më të mirat e zhvilluara në Shqipëri dhe jemi të angazhuar që këto zgjedhje të jenë edhe më dinjitoze, të qeta e të ndershme”.

“Shumica e kandidatëve po bëjnë kryesisht një fushatë me një frymë qytetarie, gjë që po rrit interesin e shqiptarëve për të dhënë votën e tyre për alternativën më të mirë për ta. Shqiptarët janë qytetarë europianë e të gjithë bashkë do të dëshmojmë se jemi votues europianë”, theksoi kryetarja e Kuvendit në takimin me parlamentarët gjermanë.