Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 20:59

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua të mërkurën me Drejtoreshën e Drejtorisë Politike të Këshillit të Europës, Claudia Luciani, e cila prezantoi shefin e ri të zyrës së Këshillit të Europës, Marco Leidekker.

Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, biseda u fokusua veçanërisht në bashkëpunimin në çështje të të drejtave të njeriut, mbrojtjen e fëmijëve dhe gruas, çështje që janë në themel të veprimtarisë së Këshillit të Europës, ashtu sikurse edhe të Parlamentit të Shqipërisë.

Kryetarja Topalli e njohu znj. Luciani me përmirësimet e dukshme të lëgjislacionit shqiptar lidhur me të drejtat e njeriut, duke veçuar krijimin e Komisionierit për mbrojtjen nga diskriminimi.

Duke u ndalur tek ecuria e procesit zgjedhor, kryeparlamentarja tha se në këto zgjedhje shqiptarët votuan të lirë e me qytetari.

“Sikurse me pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje edhe në vijim, shqiptarët po japin sinjale shumë pozitive në këto zgjedhje dhe angazhimi ynë është maksimal, që gjithçka të përmbyllet me sukses për një proces transparent e të ndershëm në tërësinë e standarteve të tij”, tha Topalli.