Lajme Shqip Sunday, 24 April 2011 10:28

Tiranë – Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në Tiranë kremtuan mesantën duke u gdhirë dita e diel festën e Pashkës që simbolizon Ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit.

Sipas kalendarit fetar, Pashka, festa më e rëndësishme e besimit të krishterë, kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas henës së parë të plotë të muajit, që zakonisht përkon me periudhën 22 marsit- 25 prill. Këtë vit, sikurse dhe vitin e kaluar, besimtarët katolikë dhe ortodoksë festuan në të njëjtën ditë Ringjalljen e Krishtit.

Në Katedralen “Gjon Pali” dhe Kishën Ortodokse në Tiranë besimtarët u mblodhën rreth ores 23:00 për të ndjekur meshat e shenjta, të drejtuara përkatësisht nga imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Janullatos.

Monsinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, këndoi Liturgjinë e dritës; “Le ta gjejë të ndezur ylli i mëngjezit që nuk perëndon, Krishti biri yt që i ngjallur së vdekurish shndërrit mbarë njerëzimin dhe jeton e sundon në shekuj të shekujve”, ishte fundi i “Lajmi i gëzueshëm”, që u këndua edhe nga besimtarët katolikë të pranishëm në këtë meshë të shenjtë.

Më pas mesha vazhdoi me pesë lexime të Liturgjisë së fjalës, me letrën e Apostollit, Aleluja, Shërbesa e Pagëzimit, ndërsa kori i kishës interpretoi nga Mesia e Haendel, si dhe këngë të tjera kishtare. Nën ndezjen e qirinjve u krye spërkatja me ujin e bekuar ku kori këndoi: “e pashë ujin duke dalë nga krahu i djathtë, i tempullit aleluja ; dhe të gjithë të cilëve u arrin ky ujë u shëlbuam alelula, aleluja”.

Monsinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, u shpreh gjatë këtij proçesioni liturgjik se “Krishti është ringjallur, drita e tij e ka mundur errësirën, dhe njerëzimi mund t’i drejtohet Atij me fjalën e besëlidhjes së vjetër “Në dritën tënde ne shohim dritë’. Kjo dritë e Krishtit të ringjallur, drita e gëzimit dhe e shpresës është drita e mëngjesit të ri që gdhin mbi botën e vjetër dhe e ripërtërin atë. Si simbol të kësaj drite të Krishtit, këtë natë të shenjtë të ringjalljes së Krishtit, Kisha, ndez qiriun e Pashkëve që flakëron këtu para nesh. E kemi ndezur këtë qiri para Katedrales në errësirë. Krishti duke mundur vdekjen, që është caku i fundit i kohës së njerëzve, ka mundur pushtetin e kohës dhe çdo kohë është e tija”.

Monsinjor Rrok Mirdita, pagëzoi me këtë rast edhe besimtare katolikë, duke u shprehur se “ju pagëzoj në emër të Birit, të Atit dhe Shpirtit të Shenjtë”.

Ndërsa Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, duke uruar mijëra besimtarë që ishin mbledhur në mjediset e jashtme të kishës u shpreh: “Festojmë triumfin e pushtetit të Perëndisë së dashurisë. Krishti u ngjall së vdekurish me vdekje vdekjen shkeli”. Mijëra besimtarët qëndronin me qirinj në dorë duke kënduar, “ngjalljen tënde o Krisht shpëtimtar engjëjt në qiell e hymnojnë, vlerësona edhe ne përmbi dhenë me zemër të pastër ty të lavdërojmë”.

Më parë Kryepeshkopi Janullatos kishte mbajtur Shërbesën e Mesnatës, që quhet ndryshe Vigjilja e Pashkës. Ai ndezi qiriun e Pashkës nga “kandili i pashuar”, duke uruar besimtarët që “Siguria e Atij, Zotit të dashurisë, që i është dhënë çdo pushtet në qiell dhe mbi dhe, le të na ngrejë optimizmin e lënduar për të ardhmen e botës”.

Sipas traditës ky proçesion i besimtarëve ortodoksë gjatë mesnatës të kujton proçesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perendisë që kryhej në kishën e vjetër. Në fakt, ky është proçesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.

Besimtarët qëndruan duke mbajtur gjatë gjithë kohës qirinjtë e ndezur, një zakon tradicional ky si për të theksuar: “të çojmë gjendjen e re edhe në shtëpi”…

Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë. Sipas interpretimit biblik, me ringjalljen e Krishtit, ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.

Sipas besimit te krishtere Jezusi erdhi në tokë për të dhënë modelin e tij për njerëzimin dhe për të dëshmuar se pas vdekjes së trupit, shpirti jeton në atë që njihet si jeta e përtejme, por për ta fituar atë duhet që çdokush të udhëhiqet në jetë nga disa parime biblike dhe virtyte.

Gjatë ditës së sotme, sipas riteve fetare të festës së Pashkës, besimtarët kryejnë vizita për të uruar njëri-tjetrin. Një tjetër rit është dhe ai i thyerjes së vezëve të kuqe. Pritet që gjatë ditës së sotme përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politikës të kryejne vizita prane selive të Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse për të përcjellë urimin e tyre për të gjithë shqiptarët.