Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 12:46

Tiranë – “Proceset gjyqësore duhet të përfundojnë në një kohë sa më të shkurtër”, apeloi sot zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, (KLD), Kreshnik Spahiu.

Në një konferencë shtypi, Spahiu prezantoi raportin  mbi inspektimet e zhvilluara vitet e fundit në Gjykatat e rretheve, nga Inspektoriati i KLD-së dhe Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë, inspektime këto, që kanë konstatuar si parregullsi kryesisht mos zhvillimin e gjykimeve të pandërprera, shtyrjen e gjykimit më shumë se afati 15 ditor i përcaktuar nga ligji, dorëzimin e vendimit të arsyetuar përtej afateve proceduriale, mos raportim tek organet përkatëse për prokurorët ose avokatët që shtyjnë pa shkak ose me qëllim seancat gjyqsore etj.

“Në radhë të parë janë vetë gjyqtarët të cilët duhet të zbatojnë të gjitha kompentencat që u jep legjislacioni penal për të përfunduar gjykimin në kohë sa më të shkurtër, si edhe për të ndëshkuar veprimet e paligjshme të çdo pale në proces, me qëllim zvarritjen e gjykimit”, theksoi Spahiu.

Mbështetur në këtë raport, Spahiu tha se janë rekomanduar një tërësi ndyshimesh për Kodin e Procedurës Penale, të lidhura me administrimin e proçesit gjyqësor penal, të cilat i janë përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për veprime të mëtejshme, si  rritja e kompetencave të gjykatës për marrje masash ndaj avokatëve, kufizimin e të drejtës së Gjykatës së Apelit për të dërguar çështjen për rigjykim, përcaktimin e së drejtës së gjykatës për të pushuar disa çështje penale etj.

Sikurse deklaroi Spahiu, të gjitha përfundimet e raportit i kanë kaluar për shqyrtim Këshillit të Lartë të Drejtësisë në seancë plenare dhe u vendos që raporti i inspektimit t’i kalojë për veprime të mëtejshme Ministrit të Drejtësisë, si autoriteti i vetëm kompetent, për të ndërmarrë apo për të iniciuar një procedim disiplinor kundër gjyqtarit.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, bazuar në disa shqetësime publike, por edhe në problematikat e hasura gjatë punës së përditshme, ka kryer një inspektim të përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë për veprat penale veçanërisht të rënda dhe ato me impakt dhe ndjeshmëri më të lartë për publikun. Inspektimi, i cili ka përfshirë disa gjykata të rretheve gjyqësore si Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale veçanërisht të rënda, siç janë vrasjet, trafikimet, shpërdorimet e detyrës etj, është kryer për vitet 2007-2008 dhe vetëm përsa i përket inspektoratit të KLD-së janë inspektuar 166 çështje penale.