Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 09:15

Tiranë – Rreth  36 mijë zgjedhës do të votojnë sot për të zgjedhur drejtuesit e 9 komunave të vendit, një proces për të cilin janë ngritur 102 qendra votmi.

Sipas vendimit të miratuar nga KQZ, zgjedhësit e komunave Shllak dhe Shalë (Qarku Shkodër), të komunave Pishaj dhe Papër (Qarku Elbasan), komuna Mollas (Qarku Korçë), komuna Kolsh (Qarku Lezhë), komuna Armen dhe Finiq (Qarku Vlorë), komuna Qendër Skrapar (Qarku Berat) dhe komuna Zall Dardhë (Qarku Dibër), do të votojnë për kandiatët për kryetar komune dhe për këshillin e komunës.

Në dy komuna, Shllak dhe Shalë, nuk u zhvilluan zgjedhjet më 8 maj, ndërsa në 7 njësitë e tjera vendore u vërejtën parregullsi dhe KQZ vendosi përsëritjen e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror deklaroi dje se janë marrë të gjitha masat për mbajtjen e një procesi të rregullt.  Zëdhënësi Leonard Olli bëri të ditur se duke përfshirë edhe kërkesat e mundshme ankimore pas zgjedhjeve të pjesshme të ditës së nesërme, i gjithë procesi zgjedhor i 8 majit do të mund të përfundojë nga mesi i muajit gusht dhe në këtë periudhë do të mund të përcillen dhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Në funksion të zhvillimit pa probleme të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 31 korrikut pak ditë më parë Prezenca e OSBE-së në Tiranë mbështeti KQZ-në me pajisje në fushën e telekomunikacioneve.