Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 11:52

Tiranë – Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), ka rifilluar sot punën për prishjen e ndërtimeve përgjatë zonës së Saukut të vjetër, me qëllim lirimin e rrugës për ndërtimin e Unazës së Madhe.

Aksioni i ndërmarrë nga INUK, i cili u ndërpre ditën e mërkurë, si pasojë e rezistencës së pronarëve, që kërkonin siguri për kompensimin e pronës së tyre dhe kohën e nevojshme për të liruar banesat, rifilloi përsëri sot në një klimë mjaft të qetë, u shpreh drejtori i INUK, Dem Dollapi.

Sipas tij , INUK shpreson të përfundojë sot aksionin e saj, për shembjen e ndërtesave përgjatë trajektores së unazës së madhe, nga Kopshti Botanik deri në zonën e Saukut të vjetër, pranë xhamisë. “Kemi për të shembur dhe14 ndërtesa, të cilat bien përgjatë kësaj trajektore” tha Dollapi, duke sqaruar se banorët tashmë janë ndërgjegjësuar dhe po bashkëpunojnë me inspektorët për të liruar banesat dhe për të vijuar punën normalisht.

Ndërkaq, ai njoftoi se me përfundimin e punës përgjatë këtij segmenti të unazës së madhe, Inspektorati ndërtimor do të vijojë punën për shembjen e ndërtesave përgjatë rrugës që do të lidhë këtë segment me rrugën Tiranë-Elbasan.

Shembja e ndërtimeve përgjatë këtij segmenti nga Kopshti Botanik deri në zonën e Saukut të vjetër, pranë xhamisë nisi në 10 gusht. Deri më sot INUK ka shembur më shumë se 40-të ndërtesa përgjatë kësaj trajektore, një pjesë e të cilave janë pa leje, ndërsa pjesa tjetër në proces legalizimi apo me dokumenta të rregullta. Këto të fundit, në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, do të kompensohen me shumat përkatëse.

Sipas projektit të bashkisë, Unaza e madhe e Tiranës do të kalojë në dy segmente kryesore. Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babbru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”. Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës. Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti, ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës deri tek Parku i Madh, rruga përshkon një zonë urbane me dendësi ndërtimesh, të cilat kryesisht janë të ulëta dhe në një zonë me mungesa në infrastrukturën nëntokësore. Pjesa tjetër e Unazës së Madhe kalon në zonën kodrinore mbi kodrat e Liqenit artificial dhe kodrat e Saukut.

Nga studimet e kryera, rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë makina në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur rritjen e vazhdueshme të trafikut, kjo rrugë parashikohet që në vitin 2013 të përballojë një trafik prej 38 mijë makinash në ditë.