Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 10:30

Tiranë – Partitë parlamentare pritet të nënshkruajnë sot marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Monetalisht në ambientet e kryesisë së Kuvendit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të LSI, PDIU dhe PR-së do të jenë në pritje të partive parlamentare të opozitës, PS dhe PBDNJ, që bashkarisht të bien dakord për një angazhim maksimal në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor sipas standardeve të kërkuara nga  OSBE/ODIHR. 
Në takimin e një dite më parë, draft-marrëveshja me 16 pika, e paraqitur nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, u mbështet dhe nga Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëolfarth, i cili e konsideroi atë në frymën e rekomandimeve të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve të 2009-s. 
Por, përfaqësuesit e opozitës, përmes kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçi, vendosën disa kushte, ku mes tyre veçohet kërkesa për transparencë post-elektorale, monitorim prej tyre i listës së zgjedhësve, identifikim të kartës së identitetit në qendrat e votimit, etj. Por, këto kushte u cilësuan nga përfaqësuesit e PD-së, si jashtë objektit të tryezës së partive, por dhe të rekomandimeve të OSBE-së.
Tryeza e partive politike përkoi me nisjen nga puna të misionit vëzhgues të ODIHR, i cili do të ndjekë nga afër zgjedhjet vendore në Shqipëri, duke angazhuar një numër më të madh vëzhguesish se në zgjedhjet paraardhëse.