Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 12:31

Tiranë – Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të martën me votat e maxhorancës p/ligjin “Për ndërtimin e kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”, që i hap rrugën procedurave të mëtejshme për përfundimin e këtij projekti në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit.

P/ligji, nismë e 38 deputetëve të Partisë Demokratike, parashikon që Kuvendi të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku sot ndodhet Piramida, ndërsa Këshilli i Ministrave do të ndjekë hapat e tjerë në zbatimin e këtij projekti.

Sipas p/ligjit, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar autoriteti shtetëror kompetent për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTSH).

Gjatë shqyrtimit të draftit në komisionin e Ligjeve, relatori Enkelejd Alibeaj tha se parlamenti i ri është i domosdoshëm dhe projekti i kompleksit parlamentar i plotëson të gjitha kriteret teknike, politike dhe ekonomike.

Vendimi për ngritjen e Kuvendit të ri të Shqipërisë është kundërshtuar dhe nga bashkia e Tiranës, e cila e ankimoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Por, kjo e fundit, në një seancë në muajin qershor, rrëzoi pretendimin e Bashkisë së Tiranës për pezullim të vendimit të Kuvendit, të miratuar më 21 tetor 2010 “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar”.

Ndërkohë, më 24 mars, një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fituese të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi. (LajmeShqip.com)

MODELET NË VIDEO: