Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 11:09

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nënvizoi sot rëndësinë e një sistemi gjyqësor me institucione profesionale, të paanshme dhe të konsoliduara në pavarësinë e tyre, larg influencave politike.

Sipas zyrës së shtypit te Presidencës, Kreu i Shtetit, Bamir Topi, njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, priti sot Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani dhe delegacionin që e shoqëron, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në vendin tonë. Në takim ishte i pranishëm edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja.

Duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona, Presidenti Topi vlerësoi rolin e rëndësishëm ligjor dhe konstruktiv të Gjykatës Kushtetuese të Shtetit të Kosovës. Në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Topi u shpreh se megjithëse Kosova është ende një shtet i ri dhe me institucione relativisht të reja, janë të dukshme përpjekjet e saj për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Duke u ndalur gjithashtu në çështje të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, Kreu i Shtetit shprehu vullnetin dhe angazhimin institucional që, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona në shërbim të zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve shumë të mira midis institucioneve të drejtësisë të shtetit shqiptar dhe atyre të shtetit të Kosovës.

Në këtë drejtim, bashkëbiseduesit theksuan në mënyrë të veçantë edhe rëndësinë e hartimit dhe realizimit të projekteve konkrete të gjykatave kushtetuese të të dy vendeve, të konkretizuara përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, një prej të cilave u nënshkrua dy ditë më parë në Tiranë, me qëllim shkëmbimin e përvojave pozitive dhe forcimin e bashkëpunimit reciprok në gjyqësor si dhe intensifikimin e të gjitha raporteve institucionale mes dy vendeve tona.

Nga ana e tij, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, siguroi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të konsolidojë bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe do të punojë akoma më shumë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës në Kosovë.