Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 13:35

Tiranë – Rreth 200 organizata të shoqërisë civile kanë lansuar sot krijimin e Rrjetit Kombëtar Shqiptar të Shoqërisë Civile, në një ceremoni të organizuar në Hotel Tirana International. 
Sipas Altin Goxhaj, drejtues i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, krijimi i këtij rrjeti ka për qëllim koordinimin e këtyre organizatave të shoqërisë civile, me qëllim përfaqësimin sa më të mirë të zërit të shoqërisë civile.

“Një nga pikat më të dobëta të shoqërisë civile shqiptare është mungesa e koordinimit, rrjetëzimit dhe përfaqësimit”, tha Goxhaj. Ai theksoi se shpeshherë vendimet për shoqërinë civile merren pa praninë e përfaqësuesve realë të saj, çka tregon dhe mungesën e koordinimit. 
Sa i takon përfaqësimit, Goxhaj theksoi se është e nevojshme të krijojmë një rrjet që ka drejtues që e përfaqësojnë interesin e shoqërisë civile dhe jo të ketë përfaqësues jorealë. 
Sipas Edmond Stojkut, drejtues i Unionit Shqiptar për Cilësi të Jetës, përfshirja dhe forcimi i rolit të shoqërisë civile është dhe një nga kërkesat kryesore dhe për proçesin e integrimit në Bashkimin Evropian. 
Vendimi për krijimin e Rrjetit u mor në një takim në fund të shkurtit midis përfaqësuesve të disa organizatave dhe rrjeteve të shoqërisë civile. Rrjeti do të jetë një mënyrë e re dhe zë i fuqishëm që do i drejtohet institucioneve vendore dhe qendrore, si dhe atyre ndërkombëtare, duke përfaqësuar të gjitha organizatat e shoqërisë civile në vend.