Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 12:56

Tiranë – Policia Bashkiake vijoi edhe sot aksionin e shëmbjeve të ndërtimeve pa leje në zonën e “Shallvareve”, ku mbi tarracën e një pallati pesë katësh ishte ngritur një shtëpi e paligjshme banimi.

“Kjo ndërtesë shtesë është ndërtuar gjatë 2 muajve të fundit, që përkon me fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore”, tha Drejtuesi i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, i cili informoi se janë marrë të gjitha masat e sigurisë për shembjen e saj.

Sipas tij, kjo ndërtesë është në kundërshtim me të gjitha kriteret teknike, njerëzore dhe cënon hapësirën publike. Në zonën e “Shallvareve”, vijoi Hoxha, janë konstatuar shtesa të tjera të paligjshme pranë pallatave të banimit.

Për shkak të terrenit, punonjësit e Policisë Bashkiake, kryen shembjen e ndërtesës me mjete dore.

Në më pak se dy ditë aksion, Policia Bashkiake ka shembur deri tani gjashtë ndërtesa të paligjshme.

“Intensifikimi i punës për forcimin e aksionit kundë ndërtimve pa leje, është bërë e mundur edhe nga bashkëpunimi që po tregojnë qytetarët dhe njësitë bashkiake”, vlerësoi Hoxha, duke ritheksuar se ‘”ligji do të zbatohet deri në fund”.

Pas konstatimit të ndërtimeve, Policia Bashkiake ka bllokuar punimet dhe pas kryerjes së akt-kontrollit, merr masat për shembjen e ndërtesës dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme. Pas thirrjes që bëri Bashkia e Tiranës, për të mos ndërtuar pa leje, mjaft qytetarë kanë bashkëpunuar me autoritetet, për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit. Policia Bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve në rreth 107 raste të ndërtimeve pa leje, ndërsa aksionet në terren vijojnë çdo ditë, nga strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës.