Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 16:57

Tiranë – Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik, ka vijuar aksionet për prishjen e ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e kryeqytetit. Nga inspektorët ndërtimorë në Bashkinë e Tiranës janë ndërmarrë veprime dhe është ndërhyrë për ekzekutimin e vendimeve të prishjes së objekteve të kundraligjshme.

Pas thirrjes që bëri Bashkia e Tiranës, për të mos ndërtuar pa leje, mjaft qytetarë kanë bashkëpunuar me autoritetet, për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit. Policia Bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve, në mbi 100 raste të ndërtimeve pa leje, ndërsa aksionet në terren vijojnë çdo ditë, nga strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës, njoftoi Bashkia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Ndërkohë, aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, për të kthyer në gjendjen e mëparshme territorin, kudo që është ndërtuar jashtë kritereve ligjore. Pas konstatimit të ndërtimeve, Policia Bashkiake ka bllokuar punimet dhe pas kryerjes së akt-kontrollit, merr masat për shembjen e ndërtesës dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.