Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 16:54

Tiranë – Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha të mërkurën se, zgjedhjet e fundit treguan se ka vend për përmirësimin dhe ndryshimin e kodit zgjedhor, me qëllim arritjen e standardeve më të mira.

I pyetur nga mediat për nevojën e një reforme zgjedhore, kreu i KQZ-së theksoi se “ndonëse partitë mund të gjejnë forma të ndryshme të menaxhimit të zgjedhjeve, nuk besoj se shtyllat kryesore të ndryshimit të kodit të jenë ndryshimi i administrimit të procesit zgjedhor, por pika të ndryshme të ligjit, për ta bërë atë më fleksibël në zbatim”.

“Partitë politike kanë përcaktuar administrim politik të zgjedhjeve, si mënyrë menaxhimi dhe në këtë formë është organizuar dhe KQZ, komisionet e nivelit të dytë, të qendrave të votimit dhe grupet e numërimit”, theksoi Ristani.

Sipas tij, ndonëse në botë ka dhe mënyra të tjera të administrimit zgjedhor, kjo e jona është një formë tërësisht e balancuar që i përgjigjet menaxhimit zgjedhor.

I pyetur nga gazetarët nëse mund t’i nënshtrohej ndryshimit procedura e ankimimit, e parashikuar në kod, Ristani u përgjigj se numri i ankesave ka ardhur duke rënë nga zgjedhjet në zgjedhje, sidomos tha ai “kodi që kemi në fuqi ka sjellë uljen e numrit të ankesave”.

“Zgjedhjet e fundit treguan se numri i ankesave është dukshëm më i pakët se në zgjedhjet e kaluara”, por theksoi Ristani këtu “nuk është për t’u marrë shembull procesi i fundit, pasi është një rastësi që procesi në Tiranë shkoi në një garë aq të ngushtë, që nuk ndodh gjithmonë.  Qartaz i evidentueshëm është fakti se numri i kërkesave ankimore është në rënie”, theksoi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.