Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 21:04

Tiranë – Pas një bojkoti tremujor, tre anëtarë të opozitës i janë rikthyer ditën e sotme mbledhjeve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Anëtarët që i rikthehen punimeve të KQZ-së janë nënkryetarja, Dëshira Subashi dhe dy anëtarët, Artan Laze dhe Pandeli Varfi.

Sipas nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, marrja e këtij vendimi vjen edhe pas apelit të vazhdueshëm nga ana e ndërkombëtarëve për funksionimin normal të punës në Komisionin Qëndror Zgjedhor.

Subashi tha se opozita do të këmbëngulë për miratimin e rregullores së re së KQZ-së dhe rishikimin e vendimeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Pas tre muajsh, KQZ miratoi sot me 7 vota caktimin e vendit të numërimit të votave në KZAZ-të e Qarkut të Elbasanit si dhe projektvendimet për emërimet dhe zëvendësimet e disa kryetarëve dhe anëtarëve në KZAZ.

Opozita ka bojkotuar punimet e KQZ-së për gati tre muaj si rezultat i pakënaqësive të saj për mbarëvajtjen e mbledhjeve të këtij institucioni, mosdëgjimin e zërit të opozitës gjatë veprimtarisë së KQZ-së dhe mos realizimit të kërkesës së saj për hartimin e një rregullorje të re nga ana e këtij institucioni.