Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 11:42

Tiranë – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi sot projektin për ndërtimin e tramvajit në kryeqytet, në kuadër të planit për zhvillimin e kryeqytetit në 4 vitet e mandatit të ardhshëm elektoral.

Gjatë një takimi në teatrin e Metropolit, përfaqësues të bashkisë së kryeqytetit prezantuan projektin e tramvajit “Tram Tirana”, i cili do të shtrihet në kryeqytet në 5 linja kryesore: Universiteti Politeknik – Kombinat; Universiteti Politeknik-Kampusi i ri universitar i Tufinës; Universiteti Politeknik-Universiteti Bujqësor i Kamzës; Universiteti Politeknik-Parku i ri i Paskuqanit dhe Tiranë-Aeroporti i Rinasit.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Rama e vuri theksin tek dallimet mes planeve të zhvillimit të institucionit të bashkisë së kryeqytetit dhe projekteve të qeverisë.

Sipas tij, plani i zhvillimit që promovon bashkia është një zhvillim i integruar, ndërkohë që qeveria nuk ka një program të integruar zhvillimi. “Programi ynë për zhvillimin e transportit synon të krijojë lehtësira për zhvillimin social dhe gjithë sistemin e edukimit, duke zhvilluar një cilësi të re të mjedisit dhe kulturës së bashkëjetesës”, theksoi Rama.

Ai nënvizoi se “projektet e bashkisë së Tiranës janë larg ‘me vite dritë diferencë’ nga ato të kundërshtarëve tanë politikë, pasi mjafton të shohësh se si investohen paratë publike për të zhvilluar rrjetin e transportit në Shqipëri, ku duket qartë se ai është i kushtëzuar nga interesa të drejpërdrejta financiare e elektorale. Nuk ka ende sot një politikë të transportit publik që të garantojë një lidhje harmonike mes bashkive dhe komunave të këtij vendi në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social”, theksoi kandidati për kryetar bashkie i PS-së, në Tiranë.