Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 20:10

Tiranë – Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj Ilir Metës, ndaj të cilit është ngritur akuza e “korrupsionit aktiv”.

Plator Nesturi, këshilltar me median në Prokurorinë e Përgjithshme konfirmoi faktin se ndaj Ilir Metës është ngritur akuza e korrupsionit, por hezitoi të fliste për detaje të tjera lidhur me dosjen penale, brenda së cilës ndodhen faktet që ngarkojnë me përgjegjësi kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ndërkohë Gjykata e Lartë shqiptare ka hedhur sot shortin që ka përcaktuar trupën gjyqësore që do të shqyrtojë dosjen penale në ngarkim të ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta të akuzuar tashmë për korrupsion.

Sipas një njoftimi për mediat vendore pas hedhjes së shortit me gogla është përcaktuar se trupa gjyqësore do të përbëhet nga Ardian Dvorani relator si dhe anëtarët Besnik Imeraj, Arjana Fullani,Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj.

Avokati i Metës, Petrit Serani ka deklaruar se kundërshton akuzat e Prokurorisë sepse janë të pabazuara, pasi veç të tjerash, për mbrojtjen video-përgjimi nuk është i vlefshëm pasi është marrë në kundërshtim me ligjin. Por në fakt, pavarësisht pretendimeve për një montazh të bisedës së përgjuar, ekspertët amerikanë vërtetuan se videoja ishte origjinale.