Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 10:50

Tiranë – Kompania e Prodhimit dhe Shpërndarjes së Letërnjoftimeve Elektronike dhe Pasaportave Biometrike në Tiranë, “ALEAT”, prodhoi sot për qytetarët shqiptarë kartën e 3 miliontë të identitetit.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i pranishëm në ceremoninë e prezantimit të dokumentit të 3 miliontë të identitetit, në ambientet e kësaj kompanie, vlerësoi punën e bërë nga kompania prodhuese “ALEAT” për produktin elitar që ajo u ka ofruar qytetarëve shqiptarë, letërnjoftimin elektronik, si një nga elementët thelbësorë të identitetit të tyre.

3 milionë shqiptarë, tha Nishani, “janë paisur tashmë me kartën e tyre të identitetit. Për nga numri i popullsisë, Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë në rajon përsa i përket pajisjes së qytetarëve me dokumentat e reja elektronike, ndërsa nga aspekti i lartë i teknologjisë dhe sigurisë që ky produkt ofron, ai përbën një nga arritjet më serioze të Qeverisë shqiptare për të ofruar shërbime dinjitoze në shërbim të qytetarëve të saj”.

Nga viti 2009,  kur dhe filloi prodhimi i këtij dokumenti, kur nuk kanë kaluar shumë kohë, projekti ambicioz i Qeverisë, niveli i lartë dhe cilësia e ofruar nga kompania “ALEAT”, bashkëpunimi dhe interesi i qytetarëve shqiptarë, për ministrin e Brendshëm, Nishani, bëri të mundur arritjen e një standardi të lakmueshëm në aspektin e identitetit të qytetarëve, si dhe lehtësimit më pas të marrjes dhe përfitimit të shërbimeve, duke përdorur letërnjoftimin e ri elektronik.

Procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet e reja elektronike nisi në 12 Janar të vitit 2009, shërbim i cili u ofrohet qytetarëve shqiptarë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet fqinj, Itali dhe Greqi, në zyrat konsullore të Romës, Milanos, Athinës dhe Selanikut, ku jetojnë një numër i madh emigrantësh shqiptarë.