Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 19:07

Tiranë – Prefektura e Tiranës ka dorëzuar sot në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori nga Prefekti, Keltis Kruja, thuhet se, “bashkia ka punësuar në radhët e policisë bashkiake nga periudha maj 2010, 9 persona duke shkelur rregulloren “tip” të bashkisë, e cila thekson se emërimi në punë për përzgjedhjen e kandidatit për punonjës policie bashkiake kryehet nga një Komision i përbërë nga Kryeinspektori i Policisë Bashkiake, një prfaqësues i Prefektit të Qarkut Tiranë dhe një përfaqësues i Drejtorisë së Policisë”.

Sipas prefektit Kruja, ky Komison nuk ka pasur përfaqësues nga Prefektura dhe Policia e Shtetit, prandaj emërimi i 9 personave është kryer në shkelje të hapur me ligjin, por dhe ka sjellë përfitime materiale në shuma financiare nga persona që nuk mund të emëroheshin policë bashkiakë.

Gjithashtu, shton Kruja, “Kryetari i bashkisë së Tiranës ka pasur përfitime të drejtpërdrejta duke qenë se ka përdorur policë bashkiakë në tubime elektorale në kundërshtim me ligjet që rregullojnë punën e policisë bashkiake”.