Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 07:21

Tiranë – Posta Shqiptare, me rastin e 98-vjetorit të Pullës së Parë Shqiptare, hapi të enjten në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ekspozitën e pullave postare, ku prezantohen në 56 stenda emetimet e pullave shqiptare, nga pulla e parë shqiptare, shpallja e pavarësisë deri në prodhimet më të fundit, siç janë “Shqipëria në NATO”, rruga Durrës-Kukës, “Shqipëria pa Viza”, “Nënë Tereza”, etj.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, Genc Pollo, evidentoi misionin sinjifikativ të pullës në vlerat historike të vendit. “Vitin tjetër si shtet kemi një përvjetor shumë të rëndësishëm, jubliar atë të 100-vjetorit të pavarësisë dhe shteformimit shqiptarë modern”, tha Pollo, duke nënvizuar se, një vit më vonë për rrethanat historike jo të kollajshme të nëntorit të vitit 1912 këtë histori e ndjek dhe pullën shqiptare, vit pas viti, si një gjurmë, si një shenjë si një lidhëse mes njerëzish, por dhe si një pasqyrë historike sepse në secilën pullë gjejmë gjurmët e kohës, fytyrën dhe në një farë mënyre dhe ndjenjat e kohës”.

Ndërsa Drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, tha se “pas 98-vjetësh rrugëtimi të pullës shqiptare, sot mblidhemi këtu jo vetëm për të përmendur historinë e pullës shqiptare, por mbi të gjitha për të respektuar misionin e saj si një vulë shoqërore e historisë që ka skalitur në faqen e librit të kombit, vlerat e kulturës, njerëzit e mëdhenj, pasuritë e natyrës, florës, faunës, ngjarjet historike dhe gjithçka që ka të shenjtë ky komb”.

Pullat postare shqiptare janë vlerësuar në shumë ekspozita ndërkombëtare. Parë në këtë këndvështrim, Drejtori i Muzeut Historik, Luan Malltezi, tha se Muzeu Historik Kombëtar ka pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm me koleksionistët privatë dhe shoqatën e filatelistëve shqiptarë dhe me Postën Shqiptare, duke çelur herë pas here ekspozita filatelike, të cilat janë të mirëpritura nga vizitorët e ndryshëm.

“Muzeu Historik Kombëtar ka fatin të ketë të ekspozuara në Pavionin e Pavarësisë nga pullat e para të Shtetit të Parë Shqiptar. Ekspozita e Pullës Shqiptare që nga sot ‘bëhet pjesë” e pavioneve të Muzeut Historik Kombëtar, duke komunikuar në këtë mënyrë me vizitorët e shumtë”, tha Malltezi.

Falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Postave në këtë ekspozitë prezantohen në 56 stenda të organizuara emisionet e pullave shqiptare nga shpallja e pavarësisë deri në ditët tona.