Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 13:11

Tiranë – Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin, Genc Pollo tha të enjten në Kuvend se, ndryshimet në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, janë një detyrim i qeverisë shqiptare në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Duke e konsideruar pr/ligjin si “të shumëpërfolur në media dhe nga shoqëria civile” ministri tha se censusi i përgjithshëm i popullsisë është një proces që organizohet nga INSTAT në çdo 10 vjet dhe ai është një detyrim i autoriteteve shqiptare ndaj MSA-së.

Në këtë kuadër tha ai, amendimet në ligjin e mësipërm, i miratuar fillimisht nga parlamenti në vitin 2000, synojnë që të dhënat e përfituara të shërbejnë për efekt statistikor dhe jo për t’u përdorur nga regjistri i zgjedhësve.

Ministri Pollo theksoi gjithashtu se pr/ligji i sotëm ka të bëjë me adoptimin e legjislacionit europian në fushën e  mbrojtjes së të dhënave personale, e cila parashikohet të ruhet me rregulla të përcaktuara.

Një tjetër element i pr/ligjit sipas Pollos, lidhet me masat ndëshkimore ndaj atyre që deklarojnë të dhëna të rreme në procesin e censusit. “Amendimi i ligjit parashikon ndëshkimin me një milion lekë të vjetra ndaj këtyre personave dhe po ashtu ndëshkim dhe për nëpunësit që nuk ruajnë konfidencialitetin e të dhënave apo atyre që kryejnë kundravajtje në këtë proces”, u shpreh sot në Kuvend, ministri i Inovacionit dhe Komunikimit.

Pollo shprehu keqardhjen për abuzimin që është bërë prej shumë kohësh me këtë çështje, madje siç tha ai dhe nga “persona publikë”.

“Është për të ardhur keq abuzimi me këtë çështje dhe nga shumë persona publikë, përfshirë dhe disa zyrtarë që përpiqen të përbaltin çdo punë të mirë që ndershmërisht përpiqemi të bëjmë. Është angazhimi ynë miratimi i këtij pr/ligji”, theksoi Pollo, gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Pr/ligji që po shqyrtohet nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar ka disa ndryshime që synojnë të zgjidhin nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit ligjor, në mënyrë që të krijohet një bazë e konsoliduar dhe e plotë ligjore për procesin e censusit të popullsisë dhe banesave, që parashikohet të nisë në muajin tetor.