Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 16:14

Tiranë – Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana informon se ditën e djeshme, datë 30.04.2011, nga autoritetet policore greke është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi Ilir Dhamo Gabeta, vjeç 45, lindur në Korçë.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se, këtë shtetas Gjykata e Shkallës së Parë – Librazhd, me vendim të datës 17.11.2004, e ka dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ky vendim është lënë në fuqi dhe me vendimin e datës 19.09.2005 të Gjykatës së Apelit në Durrës.

Ngjarja, për të cilën shtetasi Ilir Gabeta është deklaruar fajtor, ka ndodhur më datë 04.05.2004, në vendin e quajtur “Kthesat e Forta” në Hotolisht, Librazhd. Si rezultat i mos respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor (mosmbajtjes së krahut të lëvizjes) dhe shpejtësisë tej normave të lejuara, shtetasi Ilir Gabeta, teksa drejtonte automjetin tip Benz me targa KO 9588 A, është përplasur me automjetin që vinte përballë në krahun e tij, tip autobus me targa EL1249B, me drejtues shtetasin Skënder Dema. Si pasojë e këtij aksidenti të rëndë kanë mbetur të vdekur bashkëshortët Dëfrim Shahollari, Pranvera Shahollari, është plagosur rëndë drejtuesi i autobusit Skënder Dema dhe janë plagosur lehtë disa persona të tjerë. Po ashtu i dëmtuar ka mbetur edhe shtetasi Ilir Gabeta.

Arrestimi i shtetasit Ilir Gabeta është bërë i mundur si rezultat i bashkëpunimit e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës me Interpol Athinën.

Ndërkohë, Interpol Tirana njofton gjithashtu se ditën e sotme, datë 01.05.2011, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Morinë është ndaluar shtetasi Djon Ljucovic, vjeç 39, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Mali i Zi. Këtë shtetas autoritetet malazeze e kanë dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim. Kapja e tij u bë e mundur pas verifikimit nga strukturat e policisë kufitare të të dhënave të tij në sistemin e Interpolit. Ndalimi i tij është bërë me qëllim ekstradimi drejt Malit të Zi.