Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 17:40

Tiranë – Forcat e policisë së Tiranës bënë të mundur kapjen e një grupi,  me  tendencë vjedhjet e qëndrave arsimore dhe qytetarëve në kohë e vende të ndryshme në kryeqytet.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur sot se,  forcat e policisë, pas një hetimi intensiv,  arritën që të dokumentojnë një sërë vjedhjesh në Tiranë,  duke identifikuar dhe kapur autoret e tyre, të cilët janë 5 minorenë, me  banim në Bathore, Tiranë. Ndërkohë që, u ndalua edhe shtetasi  Bashkim Kotarja, 42 vjeç, banues në Bathore,  për fshehje të provave materiale të veprave penale.

Sipas policisë, proçedimi penal ndaj tyre filloi pasi ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se janë autor në vjedhjen e disa shkollave gjatë ketij viti si, në vjedhjen e disa komjutera lap-top dhe videoprojektor në shkollën e re në Laprakë, vjedhjen e disa   kompiutera lap-top në shkollën “Vasil Shanto”, vjedhjen e një sasie lekësh në shkollën “Fan Noli”, etj. Gjithashtu, ata dyshohet se janë autorë në vjedhjen me thyerje të banesës së një  shtetasi, duke i marrë  shumën prej 13.000 lekë, varëse dhe dy unaza.

Në kuadër të këtij proçedimi, forcat e policisë ushtruan një kontroll në banesën e shtetasit Bashkim Kotarja, ku gjetën dhe sekuestruan, një sërë kompiutera lap-top, tip”Fujitsu”, “Toshiba”, dhe “Copmpaq”, 2 (dy) adaptorë për kompiutera lap-top, një tip “Dell” dhe një tip”Toshiba.

Ndërkohë që, çështja do t’i kalojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat  penale të vjedhjes dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.