Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 12:22

Tiranë – Nën akuzën e veprave penale të “vrasjes”, “vjedhjes” si dhe “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, një operacion i Policisë së Tiranës, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit, çoi dje në arrestimin e 5 personave, të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit bënë të ditur sot në se nën akuzën e “vrasjes me dashje” u arrestua mesditën e së enjtes 26-vjeçari nga Durrësi Arkeljan Jaholli, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Të njëjtat burime bënë të ditur se blutë e Tiranës arrestuan mesditën e djeshme edhe 21-vjeçarin Vilson Bunga, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 muaj heqje lirie për vepën penale të “vjedhjes”.

I akuzuar për “vjedhjen” e një firme ndërtimi, u arrestua në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës 26 vjeçari nga Kuçova Saimir  Skura, ndaj të cilit Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhërin e “arrestit me burg”.

Nën akuzën e veprës penale të “vjedhjes”, u arrestua nga blutë e kryeqytetit edhe një 16 vjeçar nga Tirana, ndërkohë që në kushtet e flagrancës, Policia arrestoi mesditën e së enjtes edhe 37 vjeçarin nga Shkodra, Syri Mehmetaj, i dënuar në dhjetor të vitit të kaluar me 5 vjet heqje lirie.

Ndërkohë që për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, në kushtet e flagrancës, u arrestua të enjten  edhe 37-vjeçari nga Tirana, Euglent Bullaci, i dënuar më parë me po të njëjtën akuzë.