Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 16:29

Tiranë – Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski, deklaroi sot se “Polonia do të mbështesë aspiratat e Shqipërisë për integrimin në BE, por nga ana tjetër do të kërkojë që Shqipëria të plotësojë kushtet e nevojshme për t’u bashkuar në familjen e madhe europiane”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv/ kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, shefi i diplomacisë polake tha se “Polonia, gjatë Presidencës së saj, është e vendosur për ta çuar deri në fund proçesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor”.

Lidhur me integrimin europian të Shqipërisë, z. Sikorski vuri në dukje se “që kjo të realizohet ju duhet të keni një unitet kombëtar dhe një konsensus për këtë proces të rëndësishëm në integrimin europian”.

Sipas tij, plotësimi i kritereve dhe kushteve për t’u bashkuar në familjen e madhe europiane, kërkojnë uljen e temperaturës politike dhe bashkëpunimin mes palëve.

Ndërsa duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit, kreu i diplomacisë polake theksoi se “gëzohemi shumë që ODIHR-i po i ndjek me shumë vëmendje zgjedhjet dhe deri tani nuk ka asnjë vërejtje thelbësore për procesin”.

Gjithashtu ai shprehu impresion të madh për përparimin dhe zhvillimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë.

“Në qoftë se do të realizoni atë që ju rekomandon Komisioni Europian, Polonia do të bëjë tifozllëk për ju që të realizoni detyrimet sa më shpejt në këto struktura”, përfundoi ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski.

Ndërsa zv. kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, bëri të ditur se “z. Sikorski ka siguruar për vazhdimin e mbështetjes së plotë për Shqipërinë gjatë Presidencës polake të BE-së”.

“Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme të 8 majit është gjithashtu një garanci tjetër që proçesi i integrimit të Shqipërisë në BE, të ecë me një shpejtësi të re edhe për këtë kemi marrë mirëkuptimin e ministrit Sikorski”, deklaroi Haxhinasto.

Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi prioritetet e caktuara nga Polonia për Presidencën e BE-së, të cilat sipas tij, janë të rëndësishme për vetë Europën dhe rajonin.

“E shoh me kënaqësi këtë zgjedhje të prioriteteve edhe si një arritje të dukshme të rolit të Polonisë në çështjet europiane edhe përtej tyre edhe për çështje të sigurisë ndërkombëtare”, përfundoi zv/ kryeministri Haxhinasto.