Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 21:21

Tiranë – Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski, mbërrin nesër për një vizitë njëditore në Tiranë, me ftesë të zv/kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se në bisedimet zyrtare, që do të zhvillohen në MPJ, ministrat Haxhinasto dhe Sikorski do të trajtojnë çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, të bashkëpunimit në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe mbi zhvillimet më të fundit në rajon e më gjerë.

Vizita e z. Sikorski merr rëndësi të veçantë për faktin se Polonia në 1 korrik merr presidencën e radhës së BE, pikërisht në periudhën kur Shqipëria shpreson të marrë statusin e vendit kandidat.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, zyrtari i lartë polak pritet të zhvillojë takime me Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha.