Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 13:24

Tiranë – Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka ndjekur me vëmendje aksionin e Policisë së Kosovës për marrjen e kontrollit të dy pikave kufitare në veri të vendit, me qëllim shtrirjen e sovranitetit të qeverisë së Republikës së Kosovës në të gjithë territorin e shtetit.

Me anë të një deklarate për shtyp, PDIU mbështet këtë veprim dhe u bën thirrje të gjitha forcave politike nga mbarë hapësirat shqiptare që të mbështesin me aq sa mundin vendosjen e plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Kombi shqiptar duhet të jetë i bashkuar kur vjen fjala tek çështja kombëtare. Për PDIU kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur paqen në Ballkan dhe për të forcuar bashkëpunimin e shteteve të rajonit tonë.

“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet mbështet embargon e vendosur nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe, si masë reciprociteti ndaj të njëjtit akt të zhvilluar nga qeveria serbe në vitin 2008. Si pjesë e pandashme e programit të PDIU-së, reciprociteti është mjeti që duhet të ndjekin qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës për të mundësuar marrëdhënie të mira dhe frytdhënëse me të gjitha vendet fqinje”, u shpreh drejtori për marrëdhëniet me publikun i PDIU-së, Ardit Bido.

“Në këtë kuadër, PDIU i bën thirrje Dhomës së Tregtisë së Tiranës që t’i bashkangjitet nismave të dhomava analoge turke, maqedonase dhe kroate për zëvendësimin e produkteve serbe që nuk do të jenë më në tregun e Kosovës me produkte shqiptare”, tha Bido.

Sipas tij, në këndvështrimin e PDIU-së, “biznesi shqiptar, i sponsorizuar edhe nga autoritetet shtetërore duhet të ishte instanca e parë që do të ofronte këtë bashkëpunim. Bashkimi Ekonomik i Shqipërisë me Kosovën, si parakusht i bashkimit më të gjerë ekonomik me gjithë rajonin, tani më shumë se kurrë duhet të nisë nga zbatimi”.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për familjarët e policit të forcave speciale të Kosovës, Enver Zymberi, i cili humbi jetën gjatë operacioneve të djeshme. Zymberi do të shënohet në listën e gjatë të shqiptarëve patriotë që kanë sakrifikuar jetën e tyre për të mirën e atdheut.

Gjithashtu, PDIU përshëndet qëndrimin e njëzëshëm të partive politike dhe të shoqërisë civile në Kosovë në mbështetje të veprimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës dhe inkurajon që një frymë e tillë bashkëpunimi të ekzistojë sa herë që bëhet fjalë për çështje të rëndësisë kombëtare.