Lajme Shqip Sunday, 03 July 2011 17:14

Tiranë – Partia Demokratike e ka cilësuar “qesharak skenarin e kryesocialistit Edi Rama për të diskredituar rezultatin e zgjedhjeve vendore të 8 majit në Tiranë dhe për të errësuar procesin zgjedhor më të drejtë dhe më transparente që ka njohur vendi deri më sot, vetëm e vetëm se ai ka humbur”.

Në një prononcim për mediat, kryesuesja e listës së kandidatëve për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës Jorida Tabaku, tha se këto qëndrime të përditshme dhe konfliktuale i kanë lodhur tashmë qytetarët.

“Perdja ka rënë tashmë sepse qytetarët e kanë dhënë mesazhin e  tyre. Mjaft më me luftë politike. 1 milion  e 600 mijë shqiptarë kanë votuar në këtë proces zgjedhor dhe zëri i tyre u dëgjua”, nënvizoi përfaqësuesja e selisë blu.

Ajo kujtoi se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga partitë politikë që të presin me maturi përfundimin e procesit zgjedhor si dhe të pranojnë vendimin e institucioneve të pavarura, pa i sulmuar.

Zonja Tabaku nënvizoi se “Rama, në Asamblenë e radhës së PS-së sulmoi hapur kolegjin zgjedhor dhe kërcënoi që nuk do të pranojë asnjë rezultat të tij nëse nuk është në favor të tij”.

Gjithashtu pak më herët, deputetja e PD-së Mesial Doda deklaroi se PS-ja po i ofron vendit një model ekonomik që u kujton shqiptarëve vitet e mbrapshta.

Duke iu refruar Asamblesë së Përgjithshme të PS-së që u mblodh një ditë më parë, Doda tha se “PS po i ofron qytetarëve modelin ekonomik të ish-ministrit Angjeli që sipas saj është një model i dështuar ekonomik.

“Në krye të grupit për ekonominë u vendos Anastas Angjeli. Të rikthesh mamuthin e korrupsionit do të thotë t’u ofrosh shqiptarëve një alternativë që e kanë vuajtur. Të rikthesh Angjelin dhe modelin e tij ekonomik do të thotë të ofrosh dështimin”, nënvizoi ajo.

Përfaqësuesja e mazhorancës vuri në dukje se “shqiptarët kanë patur mundësinë të shohin programin e Angjelit me monopole dhe varfëri ekstreme. Shqiptarët e kanë patur në kurriz pagën dhe pensionet minimale. Ky është modeli ekonomik që i ofrohet shqiptarëve nga grupi i punës së PS”.