Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 09:27

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë sot kërkesë-padinë e Partisë Socialiste, të depozituar më 2 korrik.

Relatore e çështjes është gjyqtarja Sashenka Jonuzi, e cila do të drejtojë trupën gjyqësore, të përbërë nga gjyqtarët Astrit Kalaja, Meriban Mullai, Marie Qirjazi dhe Dhurata Haveri.

Në seancën e djeshme PS hoqi dorë nga padia e bërë më 30 qershor, duke deklaruar se ajo kërkonte nga KQZ shqyrtimin e padisë së bërë më 2 korrik, por që sipas deputetit Damian Gjiknuri, pa hequr dorë nga kërkesa e socialistëve për pavlefshmëri.

Në kërkesën e 2 korrikut, PS kërkon nga Kolegji që të urdhërojë KQZ-në të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë prej saj në këtë institucion, ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi i datës 25 qershor, që shpalli fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 93 vota dhe të shpallë të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë.

Gjatë paraditws së djeshme përfaqësuesi ligjor i PS-së në Kolegj, deputeti Damian Gjiknuri, shpjegoi për mediat se çështja për bashkinë e Tiranës nuk ka përfunduar ende. “Ne presim që gjykata të marrë një vendim dhe besojmë se thelbi i kërkesës sonë për pavlefshmëri të jetë edhe thelbi i gjykimit”, theksoi Gjiknuri.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i PD-së në Kolegj, Oerd Bylykbashi, u shpreh se PS po bën taktikat e saj për ta shtyrë sa më shumë çështjen. “Qëndrimi ynë është që ky proces të përfundojë sa më parë, pasi qytetarët e Tiranës presin fituesin”, u shpreh Bylykbashi.